Posted by dinamotirana
at 06:15 PM on January 13, 2009
|
Mesfushori Igli Allmuça, një nga elementët më të spikatur në radhët e Dinamos në sezonin e shkuar, në këtë pjesë të luajtur të sezonit 2008-2009 duket se mund të “divorcohet” nga Dinamo.
Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, mesfushori i palodhur bën të ditur arsyet që e detyrojnë të bëjë zgjedhjen më të mirë, por gjithmonë nr.14 i kampionëve kërkon largimin me mirëkuptim, duke gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit blu.
Menaxheri që i ka afruar këtë lëvizje Iglit është Nexhmedin Haxhiu, i njohur për transfertat e disa lojtarëve shqiptarë në kampionatet ukrainase dhe ruse.
Ditë më parë, gazeta kishte thithur një lajm, i cili bënte fjalë për një transfertë të Allmuçës te skuadra e Terekut të Groznit, e cila ndodhet aktualisht në Antalia për fazën përgatitore, por, i pyetur, lojtari nuk ka dashur të prononcohet për këtë çështje.
Ndërkohë, pas këmbënguljes sonë, ai ka pranuar se mund të largohet nga Dinamo, por jo te Tereku i Groznit. “Është e vërtetë që kam pasur dy oferta, një nga kampionati kinez dhe një nga ai rus. Janë oferta mjaft të mira nga ana financiare dhe shpresoj të gjej edhe mirëkuptimin e drejtuesve dinamovitë për të më lënë të lirë, sepse karriera e një futbollisti nuk është shumë e gjatë.
Është një rast shumë i mirë për mua, të cilin dua ta shfrytëzoj, por duke pasur kontratë me Dinamon, nuk mund të largohem pa miratimin e drejtuesve. Përfaqësuesi i atij klubi do të kontaktojë dhe me drejtuesit dinamovitë për t’u afruar atyre një dëmshpërblim financiar për ndarjen time nga Dinamo.
Dëshiroj që diçka e tillë të realizohet, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe drejtuesit dinamovitë për të cilët kam respektin maksimal të më lënë të lirë për hir të marrëdhënieve tepër pozitive që kam pasur.
Madje kanë qenë këto marrëdhënie dhe superkorrektësia e tyre që qëndrova dhe këtë sezon te Dinamo, pavarësisht se oferta e Tiranës ishte më e mira. Kam qenë edhe gjatë verës në kontakte me Terekun, por kisha arsye familjare që nuk doja të largohesha. Pasi firmosa për Dinamon, më erdhi një mundësi që të largohesha sërish, por nuk u lejova nga klubi aktual.
Edhe menaxheri im, Gëzim Mançe, do të flasë me drejtuesit blu për këtë çështje. Shpresoj të gjej gjuhën e përbashkët dhe të gjithë ta mirëkuptojnë zgjedhjen time. Dy skuadrat që më kanë bërë ofertën ndodhen në Antlia, duke kryer fazën përgatitore,”- ka cituar mesfushori punëtor Igli Allmuça.
Por drejtuesit blu, të kontaktuar nga gazeta, nuk kanë dëshiruar të japin një prononcim, pasi, sipas tyre, më parë lojtari duhet të flasë më klubin këtë problem.
Categories: Skuadra