Posted by dinamotirana
at 09:25 AM on January 15, 2009
|
comments (1)
|
Duket se tashmë është realitet fakti që mbrojtësi kroat Dario Bodrusiç do të jetë pjesë e kampionëve. Ditën e djeshme, rreth orës 16:30, lojtari në fjalë ka mbërritur në kompleksin “Tajvan”, ku edhe ndodhen zyrat e presidencës dinamovite.
Pas një bisede me zv/presidentin Avni Braçe, njeriun më aktiv në merkaton e bluve, i shoqëruar nga menaxheri i tij dhe ish-futbollisti i njohur Adrian Aliaj, Bodrusiç është bindur dhe ka firmosur për 2 vite të tjera blu. Aliaj: “Tashmë gjithçka ka marrë fund dhe Bodrusiç është lojtar i Dinamos.
I gjithë problemi ishte i lidhur me trajnerin Daliç, sepse ishte ky që e kërkoi te Rijeka, por më pas u larguar që aty. Darioja mbeti peng i kontratës, por tani kemi zgjidhur gjithçka. Ai është aktivizuar më shumë së bashku me portierin e Rijekës (15 ndeshje) si titullar, ndaj dhe gëzon një formë të mirë.
Kohët e fundit ishta pak edhe faji im që fillova më shpejt negociatat me klubin kroat për ta larguar nga Rijeka, pasi marrëdhëniet u ftohën dhe Dario automatikisht nuk u aktivizua si më parë. Nuk ka nevojë të them çmimin e lojtarit, pasi dihen standardet në Shqipëri, sa kushton një lojtar e të tjerë,”- ka cituar menaxheri i njohur Adrian Aliaj. Bodrusiç:
Në anën tjetër, Bodrusiç është shprehur i lumtur për rikthimin e tij dhe e konsideron një provë zjarri ndeshjen me Tiranën në debutimin pas rikthimit. “Jam i lumtur për rikthimin tim te Dinamo. Kam një eksperiencë të paharrueshme një sezon më parë. Jam larguar si kampion dhe tani gjërat mund të jenë pak më të vështira, sepse skuadra ndodhet në vendin e tretë.
Gjithsesi, nuk do të dorëzohemi deri në fund. E kam ndjekur ecurinë e Dinamos, jam informuar me anë të mikut tim Goran Graniç. Edhe rrugës në avion po mendoja së bashku me Aliajn që do të kem një debutim zjarri që në ndeshjen e parë ndaj Tiranës, por garantoj maksimumin tim.
Nesër (sot) do të bashkohem me skuadrën në Antalia. E di që një sezon më parë jam aktivizuar si mbrojtës i djathtë, pavarësisht se jam mëngjarash, por tani preferoj më shumë mbrojtësin e majtë.
Gjithsesi, respektoj vendimet e trajnerit Daliç. Nuk i druhem konkurrencës me asnjë lojtar, sepse jam profesionist. Tifozët duhet të rrinë të qetë, sepse do të shikojnë të njëjtin Bodrusiç si një vit më parë.
Jam në formë të mirë sportive, pasi në të shumtën e ndeshjeve jam aktivizuar titullar me Rijekën,”- ka deklaruar menjëherë, pasi ka hedhur firmën për Dinamon, e cila do ta mbajë blu deri në janar të 2011-s, mbrojtësi 25-vjeçar Dario Bodrusiç.
Posted by dinamotirana
at 09:09 AM on January 15, 2009
|
comments (69)
|
Duket se blutë nuk kanë hequr ende dorë nga Sebino Plaku. Gjatë ditës së djeshme, drejtuesit dinamovitë kanë dërguar një tjetër ofertë të majme për klubin norvegjez të HamKamit lidhur me sulmuesin tiranas.
Pavarësisht zërave për se Sebinoja nuk mund të rikthehet më te Dinamo, shpresat në kampin blu janë të mëdha. Gjithsesi, tashmë çështja “Plaku” është kthyer në një telenovelë, e cila nuk dihet se kur mund ta ketë sërinë e fundit. Në kampin blu lojtari në fjalë admirohet dhe dëshirohet edhe nga ana e trajnerit Daliç.
Posted by dinamotirana
at 11:53 AM on January 14, 2009
|
comments (1)
|
Ditën e djeshme, skuadra dinamovite është stërvitur intensivisht, duke kryer dy seanca stërvitore. Paradite, blutë i janë drejtuar palestrës për të kryer ushtrime fizike, por brenda kushteve të shpejtësisë.
Siç dihet, dinamovitët ditën e hënë gjatë udhëtimit nuk kanë mbërritur në Antalia së bashku me valixhet e tyre, ndaj dhe janë detyruar të stërviten në aspektin fizik, pasi këpucët e futbollit mungojnë në kampin blu, gjithashtu dhe uniformat e skuadrës.
Ka qenë magazinieri i Dinamos, Fatos Kadëma, që ka pasur me vete uniformat e reja të skuadrës, të cilat u kanë dhënë mundësi bluve të stërviten në ditët e para në Antalia.
Edhe seanca e pasdites në Antalia është përqendruar në aspektin fizik, pasi dinamovitët kanë kryer vetëm vrapime dhe s’kanë punuar fare me topin, të detyruar të “vrapojnë” në mungesë të bagazheve të tyre, të cilat ende s’kanë mbërritur në Kemer.
Hoteli “Grand Haber” ka kushte mjaft të mira dhe në të nuk ka skuadra të tjera, as të huaja dhe as shqiptare. Trajneri Zllatko Daliç dhe stafi i tij teknik kanë gjetur kushtet optimale për të stërvitur skuadrën e tyre dhe pas përgatitores dimërore dinamovitët mund të shfaqen me një tjetër “fytyrë” në pjesën e mbetur të kampiontit, të paktën në aspektin fizik, ku përgatitësi Frane Leko është duke bërë një punë të mirë me kampionët në fuqi.
Blutë, miqësore në fundjavë
Dinamovitët kanë nisur përgatitjet e tyre prej dy ditësh me dy seanca në ditë. Deri në fund të javës trajneri Daliç ka programuar një program të tillë me dy seanca në ditë.
Ndërkohë, pritet që të shtunën apo të dielën kampionët të zhvillojnë një ndeshje miqësore me një skuadër të huaj dhe joshqiptare, pasi dihet që në Antalia ndodhen dhe skuadrat e tjera të superligës, si Tirana, Apolonia dhe Besa.
Teste të tilla mund të jenë të nevojshme për kroatin e stolit blu, për të kontrolluar nga afër gjendjen e skuadrës së tij.
Bekim Kuli pranë kampionëve
Duket se nuk kanë qenë të kota thashethemet e fundivit 2008 për një rikthim të mesfushorit Bekim Kuli. Përpara se të nisej në Antalia, lojtari ka negociuar me drejtuesit blu dhe këta të fundit duket se kanë pranuar të paguajnë dhe një kosto të majme te presidenti Bizhdili për marrjen e kartonit.
Dihet që Besa dhe Dinamo janë së bashku në Antalia dhe bashkimi i kapitenit verdhezi me Dinamon është shumë pranë. Në krahun tjetër bëhet e ditur se Zllatko Daliç ka shprehur pëlqimin e tij për mesfushorin kavajas.
Posted by dinamotirana
at 06:24 PM on January 13, 2009
|
comments (0)
|
Sulmuesi argjentinas Mario Antonio Romero do të bashkohet ditën e mërkurë me skuadrën në Antalia për të kaluar një test prove, i cili mund të jetë thjesht një formalitet në sytë e trajnerit Daliç. Së bashku me Çekon dyshja argjentinase pritet të kthehet në një makineri e vërtetë golash për skuadrën blu. Romero pritet të jetë zëvendësuesi i denjë i Pejiçit, pasi cilësitë janë të ngjashme.
Posted by dinamotirana
at 06:23 PM on January 13, 2009
|
comments (1)
|
Nuk është e thënë që gjërat të fuksionojnë siç duhet në një skuadër futbolli në Shqipëri. Dinamovitët e kishin planifikuar udhëtimin e tyre rreth orës 9:0O drejt Antalias, por çarteri që do të mbante në bordin e tij 3 skuadra shqiptare, është nisur 3 orë me vonesë nga aeroporti i “Rinasit”.
Problemet kanë qenë të shumta dhe blutë janë nisur mes peripecish drejt Turqisë. Në orën 16:00 me orën tonë dhe 17:00 me atë turke, ata kanë mbërritur në hotelin e Kemerit “Grand Haber”, kushtet e të cilit kanë qenë shumë të mira. Por si mos të mjaftonte problemi i parë i nisjes me vonesë, shkaku i organizimit të çrregullt i udhëtimit ka bërë që dinamovitët të “humbasin” valixhet.
Si pasojë, ata nuk kanë mundur të stërviten ditën e djeshme. Trajneri Daliç dhe stafi i tij teknik janë përgatitur për një punë voluminoze, por duket se pengesat e vogla që kanë ndodhur jo për faj të klubit kampion, bëjnë që në pah të dalin probleme të mëdha.
Tashmë blutë janë në pritje të ardhjes së valixheve, për të marrë dhe rekuizitat e duhura për të filluar stërvitjen në Antalia. Përshtypjet e para të konditave që afron hoteli turk janë tepër poziteve, ndërkohë që i të njëjtit nivel pritet të jetë dhe kampi stërvitor në të cilin kampionët do të stërviten për gati 10 ditë radhazi.
Në skuadër mund të ketë edhe ardhje të reja, të cilat priten të kompletojnë “rozën” e skuadrës së Dinamos. Sytë e trajnerit Daliç janë përqendruar në repartin e avancuar, pasi ikja e Sebino Plakut drejt HamKamit ka hapur një gropë të madhe në vijën e parë të sulmit blu.
Posted by dinamotirana
at 06:15 PM on January 13, 2009
|
comments (0)
|
Prej kohësh është folur për rikthimit e mbrojtësit Dario Bodrusiç në radhët e Dinamos, ndërkohë që duket se nesër gjithçka do të bëhet realitet për sa i takon prishjes së kontratës nga ana e tij me skuadrën aktuale, Rijeka.
Sipas trajnerit Daliç, lojtari në fjalë do të bashkohet me Dinamon në Antalia: “Bodrusiç nesër (sot) do të prishë kontratën me Rijekën dhe do të bashkohet me Dinamon në Antalia. E njoh mirë atë lojtar, pasi isha unë që e afrova te Dinamo dhe do të na duhet shumë për të ardhmen.”
Ndërkohë, në anën tjetër, burime pranë presidencës dinamovite bëjnë të ditur se lojtari do të mbërrijë që nesër në Tiranë për të firmosur me Dinamon, pas prishjes së kontratës me Rijekën, së bashku me menaxherin e tij, Adrian Aliaj. Kujtojmë se Bodrusiç ishte pjesë e suksesit të Dinamos një sezon më parë, pasi me kontributin e tij Dinamo arriti të shpallej kampione.
Shkëlqimin më të madh kroati e kishte ruajtur për ndeshjen e 17 majit, ku edhe dhuroi një ndeshje spektakolare, si për të “vulosur” performancat e mira gjatë sezonit 2007-2008 me fanellën e Dinamos. Në fillim të sezonit 2008-2009 ai pati një start pozitiv me skuadrën e Rijekës, por më pas gjërat nuk rrodhën siç duhet për ish-lojtarin e Sllaven Belupos.
Posted by dinamotirana
at 06:15 PM on January 13, 2009
|
comments (0)
|
Mesfushori Igli Allmuça, një nga elementët më të spikatur në radhët e Dinamos në sezonin e shkuar, në këtë pjesë të luajtur të sezonit 2008-2009 duket se mund të “divorcohet” nga Dinamo.
Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, mesfushori i palodhur bën të ditur arsyet që e detyrojnë të bëjë zgjedhjen më të mirë, por gjithmonë nr.14 i kampionëve kërkon largimin me mirëkuptim, duke gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit blu.
Menaxheri që i ka afruar këtë lëvizje Iglit është Nexhmedin Haxhiu, i njohur për transfertat e disa lojtarëve shqiptarë në kampionatet ukrainase dhe ruse.
Ditë më parë, gazeta kishte thithur një lajm, i cili bënte fjalë për një transfertë të Allmuçës te skuadra e Terekut të Groznit, e cila ndodhet aktualisht në Antalia për fazën përgatitore, por, i pyetur, lojtari nuk ka dashur të prononcohet për këtë çështje.
Ndërkohë, pas këmbënguljes sonë, ai ka pranuar se mund të largohet nga Dinamo, por jo te Tereku i Groznit. “Është e vërtetë që kam pasur dy oferta, një nga kampionati kinez dhe një nga ai rus. Janë oferta mjaft të mira nga ana financiare dhe shpresoj të gjej edhe mirëkuptimin e drejtuesve dinamovitë për të më lënë të lirë, sepse karriera e një futbollisti nuk është shumë e gjatë.
Është një rast shumë i mirë për mua, të cilin dua ta shfrytëzoj, por duke pasur kontratë me Dinamon, nuk mund të largohem pa miratimin e drejtuesve. Përfaqësuesi i atij klubi do të kontaktojë dhe me drejtuesit dinamovitë për t’u afruar atyre një dëmshpërblim financiar për ndarjen time nga Dinamo.
Dëshiroj që diçka e tillë të realizohet, duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe drejtuesit dinamovitë për të cilët kam respektin maksimal të më lënë të lirë për hir të marrëdhënieve tepër pozitive që kam pasur.
Madje kanë qenë këto marrëdhënie dhe superkorrektësia e tyre që qëndrova dhe këtë sezon te Dinamo, pavarësisht se oferta e Tiranës ishte më e mira. Kam qenë edhe gjatë verës në kontakte me Terekun, por kisha arsye familjare që nuk doja të largohesha. Pasi firmosa për Dinamon, më erdhi një mundësi që të largohesha sërish, por nuk u lejova nga klubi aktual.
Edhe menaxheri im, Gëzim Mançe, do të flasë me drejtuesit blu për këtë çështje. Shpresoj të gjej gjuhën e përbashkët dhe të gjithë ta mirëkuptojnë zgjedhjen time. Dy skuadrat që më kanë bërë ofertën ndodhen në Antlia, duke kryer fazën përgatitore,”- ka cituar mesfushori punëtor Igli Allmuça.
Por drejtuesit blu, të kontaktuar nga gazeta, nuk kanë dëshiruar të japin një prononcim, pasi, sipas tyre, më parë lojtari duhet të flasë më klubin këtë problem.
Posted by dinamotirana
at 06:13 PM on January 13, 2009
|
comments (0)
|
Ditën e djeshme, mesfushori tashmë dinamovit Elis Bakaj ka bërë dhe prezantimin e tij të parë te skuadra kampione në fuqi. Ai është stërvitur me shokët e skuadrës gjatë dy seancave stërvitore, paradite dhe mbasdite.
Në ambientin dinamovit ardhja i ish-lojtarit të Partizanit ka dhënë një siguri më shumë, duke ditur dhe cilësitë e lojtarit e mesfushorit të përfaqësueses kuqezi. “Kam zgjedhur Dinamon si skuadra kampione në fuqi dhe jam i bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur.
Skuadra ime e re është dhe pretendente kryesore për titullin kampion dhe ne duhet të japim maksimumin tonë deri në fund të kampionatit që të jemi në “korsinë” e titullit. Unë sapo kam ardhur në gjirin e bluve dhe s’mund të shikoj nëse duhen apo jo ardhje të reja, këto janë probleme të klubit.
Por me kontigjentin që ka Dinamo, me lojtarë shumë të mirë, shpresoj dhe mendoj se do të jemi një “kockë e fortë” në kampionat. Ndeshja me Tiranën do të jetë derbi dhe dihet që ndeshje të tilla si ajo e datës 31 janar janë shumë të forta, dhe i ka të tri rezultatet brenda. Për mua më mirë që do të debutojë ndaj bardhebluve, sepse dhe impenjimi do të jetë maksimal.
Posted by dinamotirana
at 06:12 PM on January 13, 2009
|
comments (1)
|
Duket se, veç argjentinasit Ruben Oskar Ceco, në kampin dinamovit sot pritet të mbërrijë edhe mesfushori i talentuar shqiptaro-maqedonas Armend Nexhipi, vëllai i lojtarit të mirënjohur Nderim Nexhipi.
Futbollisti në fjalë është i gjatë 1.76 cm, me një peshë trupore 66 kg dhe i përket datëlindjes 11/ 8/ 1986. Armend Nexhipi është një mesfushor me tipare sulmuese, i cili posedon një “bagazh” të mirë teknik dhe aktivizohet në ligën e dytë maqedonase me skuadrën Slloga Jugomagnat.
Gjatë vitit 2007 lojtari 23-vjeçar ka nënshkruar një kontratë me skuadrën e mirënjohur të Çekisë, Sllavia e Pragës, por duket se aventura e tij nuk ka zgjatur shumë me bardhekuqtë e Pragës.
Nexhipi “i vogël” do të testohet gjatë këtyre ditëve nga stafi tenik i Dinamos, me në krye trajnerin kroat Zllatko Daliç, i cili do të thotë fjalën e fundit lidhur me cilësitë e lojtarit të ri dhe të talentuar shqiptaro-maqedonas. Një nga idhujt e tifozërisë lokale, me në krye tifo-grupin e mirënjohur “Shvercerat Shkup” të themeluar që më vitin 1989.
Posted by dinamotirana
at 06:09 PM on January 13, 2009
|
comments (39)
|
Ishte folur ditë më parë se Dinamo do të kërkonte një sulmues nga Argjentina, i cili është aktivizuar kohët e fundit në kampionatin uruguajan, por tashmë diçka e tillë është fakt. Sulmuesi nga vendi i tangos quhet Ruben Oskar Çeko dhe është formuar nga shkolla e njohur e skuadrës më me famë në Argjentin, Boka Xhuniors.
Largimi i mundshëm i Sebino Plakut drejt HamKamit ka bërë që drejtuesit blu të hidhen menjëherë në sulm për një tjetër sulmues. Veç emrave të Fjodor Xhafës dhe Xhevahir Sukajt, Çeko është një alternativë shumë e mirë për sulmin blu.
Gjithsesi, lojtari do të kalojë mbikëqyrjen e plotë të trajnerit Zllatko Daliç dhe stafit të tij teknik. Nuk është ende zyrtare, por sugjeruesi i tij mund të jetë miku i vjetër i presidencën dinamovite, Pedro Pablo Paskuli.
Ish-trajneri i Dinamos ka afruar shumë futbollistë në kampin blu, kujtojmë të fundit Mauricio Hanush, i cili nuk mundi të kontribuojë për fanellën e Dinamos, pasi u largua pa lënë gjurmë. Sulmuesi Ruben Oskar Çeko është i gjatë 1.76 cm dhe ka lindur në Buenos Aires të Argjentinës, më 10 janar 1983.
Skuadra e fundit në të cilën është aktivizuar ka qenë ajo e Bela Vistës në Uruguaj. Ndërkohë që më parë ai është aktivizuar në kampionate nga më të ndryshmet në botë, kështu që ambientimi në Tiranë nuk do të jetë shumë i vështirë, nisur nga fakti që në CV-në e tij personale ka shumë emra skuadrash të shteteve të ndryshme.
Të shpresojmë që ardhja e tij të mos jetë një ?vrimë në ujë? si lojtarët e tjerë të huaj të afruar në kampin dinamovit. Gjithsesi, më parë duhet të shikojmë nëse ai do të mbërrijë në Tiranë, më pas të mendojmë për ta gjykuar, pasi Çeko ta ketë thënë fjalën e tij në fushën e blertë.
Eksperiencat e fundit të Dinamos me shkollën argjentinase nuk janë shumë të mira, duke kujtuar ardhjen e trajnerit Zuleta gjatë muajve të verës së bashku me futbollistët e tij të besuar Kampozano, Tapia dhe Bertoja. Këta të fundit më shpejt ikën sesa erdhën në kampin blu.